Nafta pa kontroll

Qe dy vite cilësinë e naftës që importohet në Kosovë e kontrollon një trup inspektues që nuk është fare i akredituar për këtë punë. Cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës e monitoron trupa inspektuese “Saybolt pan Adriatiku”, kompani kroate kjo që vepron në tregun e Kosovës.

Kjo trupë bën monitorimin e cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës, edhe pse nuk është e akredituar për të kryer këtë procedurë.
Që nga fillimi kompania kroate ishte e përkëdhelur e MTI-së, pasi që veproi 8 muaj pa akreditim, e këtë të fundit e mori më 22 tetor të vitit 2012.
Por, përveç kësaj, kjo trupë inspektuese po ashtu ushtron aktivitete për të cilat nuk është akredituar fare. “Saybolt pan Adriatika” nuk e ka të akredituar procedurën e njohjes dhe pranimin e dokumenteve të huaja, kurse e ushtron këtë aktivitet edhe sot e kësaj dite. E kjo është një shkelje ligjore nga ana e MTI-së, pasi që kjo procedurë e inspektimit është e përcaktuar në udhëzimin administrativ 07/2012 për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës.
Po ashtu “Saybolt pan Adriatika” nuk e ka të licencuar edhe monitorimin e cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës, edhe pse këtë pune e kryen tash e një kohë.
Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës, Osman Hajdini, në përgjigjet e tij ka tentuar që të mashtrojë opinionin duke thënë se kjo trupë është e akredituar, por në të vërtet ai dërgon të dhënat e “Saybolt Pan Ardiatika” d.o.o, njësia në Kosovë, pronar i së cilës kompani është Mlladen Zlamalik i cili është bashkëpronar me Mario Tomkiæ. Por e vërteta është se “Saybolt Pan Ardiatika” d.o.o, njësia në Kosovë, vetëm është regjistruar në ARBK, por Zlamalik vepron në tregun e Kosovës me kompaninë e tij kroate “Saybolt pan Adriatika” e cila është e regjistruar në Kroaci, kurse veprimtarinë e kryen në territorin e Kosovës.
“Në Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës (DAK-së) janë të akredituar dy trupa që bëjnë inspektimin e cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës dhe inspektimin e cilësisë së gazrave të lëngëzuar të naftës”, ka thënë Osmani, duke iu referuar kompanisë “Saybolt Pan Ardiatika” d.o.o, njësia në Kosovë, e cila pra prej kur është akredituar nuk ka vepruar në treg pasi po të vepronte do t’i paguhej tatim shtetit të Kosovës.
Në anën tjetër drejtoresha e “KPU inspekt”, Lirie Karaxha, ka thënë se “Saybolt pan Adriatika” i ishte siguruar tregu nga MTI-ja që të veprojë e vetme në treg për 19 muaj. “Kjo trupë në pikat kufitare nuk ka fare akreditim për shikim të dokumenteve të konformitetit dhe ashtu vepron, jashtëligjshëm”, ka thënë Karaxha.

Lajmet e Reja