Në “Trepçë” punonin 14 mijë punëtorë
Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), dhe tani pasardhësja e saj Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka privatizuar 8 nga 9 Ndërmarrjet Shoqërore që gjenden në këtë komunë. Shumica e atyre ndërmarrjeve që janë privatizuar, tanimë nuk janë funksionale, ndërsa punëtorët që kanë qenë të punësuar në to, jo edhe pak, kanë mbetur rrugëve.
I njëjti fat do ta gjente edhe gjigantin kosovar ekonomik, “Trepça”, por Qeveria e Kosovës, me një ligj të posaçëm, ka arritur që ta nxjerrë “Trepçën” nga AKP-ja, duke e shpallur atë ndërmarrje publike. Këto 9 ndërmarrje shoqërore, përfshirë edhe “Trepçën” kishin të punësuar 16.240 punëtorë, 14 mijë punëtorë i kishte vetëm “Trepça” në Mitrovicë, pa repartet e saj në Artanë e Kishnicë.
Nysret Maxhera, një prej ekonomistëve më të njohur në Mitrovicë, thotë se është bërë mirë që “Trepça” nuk është privatizuar.
“Nuk janë privatizuar Elektroliza, Fabrika e Akumulatorëve e as Fabrika për prodhimin e plehut artificial, të cilat kanë qenë pjesë e ‘Trepçës’. Kjo është shumë mirë, sepse me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, është shkatërruar ekonomia e Mitrovicës, shumë punëtorë kanë mbetur pa punë, ndërsa me atë 20 përqindëshin nuk kanë të bëjnë absolutisht asgjë. Djersa e tyre ka shkuar huq”, thotë Maxhera.
Fabrika për përpunimin lëkurave, është privatizuar që në valët e para të AKM-së. Ajo kishte 120 punëtorë. Pas privatizimit, kjo fabrikë nuk është vënë fare në funksion. Ndërkaq, Ndërmarrja Tregtare “Lux”, e cila kishte një numër të madh të dyqaneve pothuajse në të gjitha fshatrat e Mitrovicës kishte të punësuar 400 punëtorë. Pas privatizimit të Shtëpisë së Mallrave, kanë mbetur në punë vetëm rreth 70 punëtorë, nga 400 punëtorë sa ajo kishte.
“Betonjerka” ishte një tjetër ndërmarrje që kishte numër të madh të punësuarish, mbi 300. Kjo fabrikë që prodhonte elemente prej betoni, nuk është privatizuar, por ishte dhënë me koncesion. Askush nuk e di për sa vjet është dhënë me koncesion dhe kujt i është dhënë, ndërsa gjithashtu nuk dihet se me çfarë kushtesh është bërë koncesionimit. Dihet vetëm se ajo nuk është fare funksionale, ndërsa 300 punëtorët e saj sillen poshtë e lartë.
“Transkosova”, jofunksionale
Një depo për mbledhjen e metaleve që quhej “Otpadi” dhe e cila ndodhej në afërsi të Stacionit të Trenit, punësonte mbi 150 njerëz. Kjo depo ishte e njohur në gjithë Kosovën, pasi që aty grumbulloheshin metale të ndryshme, të cilat edhe shiteshin, por edhe transportoheshin jashtë vendit, të shumtën në Maqedoni. “Otpadi” është privatizuar, por prej atëherë nuk është funksional, ndërsa punëtorët kanë mbetur jashtë.
Kooperativa Bujqësore, është një tjetër ndërmarrje shoqërore, në të cilën ishin të punësuar 130 njerëz. Për ndryshim nga ndërmarrjet tjera, në Mitrovicë thonë se nuk dihet si janë shitur as objektet e saj e as toka. “Absolutisht nuk dihet si është privatizuar kjo ndërmarrje. Nuk dihet çka është shitur dhe çka është uzurpuar”, thotë Nysret Maxhera.
“Transkosova”, një ndërmarrje për transport të mallrave kishte të punësuar mbi 350 punëtorë. Ajo është shitur me likuidim, ndërsa nuk është funksionale. Punëtorët e kësaj ndërmarrjeje përveç 20 përqindëshit nga shitja me likudim, nuk kanë përfituar asgjë.
Po ashtu, “Kosovatransi” është një kaptinë e veçantë e privatizimit në Mitrovicë. Kjo ndërmarrje për transport të udhëtarëve kishte mbi 400 të punësuar. Maxhera thotë se ajo është likuiduar nga AKP-ja, ndërsa Stacioni i Autobusëve, që ka qenë pjesë e “Kosovatransit” i është dorëzuar komunës së Mitrovicës dhe ajo është shndërruar në Ndërmarrje Publike. Momentalisht aty punojnë 35 veta.
Në “Zhitopromet” punojnë 70 punëtore, nga 450
Në Mitrovicës, në kuadër të ndërmarrjes “Zhitoprometi” ndodhej edhe fabrika për prodhimin e bukës dhe produkteve të miellit. Përveç prodhimit të bukës, “Zhitoprometi” kishte edhe dyqane, pothuajse në të gjitha komunat e rajonit të Mitrovicës, por edhe me gjerë. Në të ishin të punësuar mbi 450 punëtorë. AKP-ja e ka privatizuar fillimisht fabrikën për prodhimin e bukës, e më pastaj edhe dyqanet që i kishte në pronësi të saj.
Momentalisht, sipas burimeve të gazetës, aty punojnë aktualisht rreth 70 punëtorë.
Gjithashtu ne Eskluzive
Me te Shkarkuarat
Kategorit
Online
Foto Lajm
Aktorja hollivudiane, Jessica Alba, ka treguar aftësitë prej kameriereje duke mbajtur në duar disa gota plastike, disa shishe dhe njëherësh ka folur në telefon. Foto: FameFlynet